Merkatoja në Superligën shqiptare u mbyll mbrëmë vonë saktë në ora 00:00, ndërsa Kukësi mund të konsiderohet si skuadra që shpërtheu “bombat” e fundit. Kjo skuadër të premten prezantoi dy super futbollistë, që në të kaluarën kishin luajtur me Shkëndijën. Fjala është për Agim Ibraimin dhe Gjelbrim Taipin, njofton “infOSport.mk”.
Mirëpo ajo që ra në sy, ishte prezantimi i tyre i bërë nga ana e mediave në Shqipëri, më saktësisht e “a2neës.com”, që shqiptarin nga Tetova, Agim Ibraimi e prezantonte si maqedonas.
“Kukësi me vrull në merkato, nënshkruan me një kosovar dhe një maqedonas”.
Ishte ky titulli i tyre, e që vërtetë është për çdo akuzë, pasi njëherë e përgjithmonë kolegët tanë gazetarë në Shqipëri duhet ta dinë se në Maqedoninë e Veriut jetojnë edhe vëllezërit e tyre shqiptarë, që flasin të njëjtën gjuhë, kanë kulturën e njëjtë dhe mbi të gjitha kanë flamurin “kuqezi”.
Shpresojmë që ky lajm të vetëdijësojë disa prej atyre gazetarëve “shqiptarë”, pasi Agim Ibraimi është shqiptarë nga Maqedonia, por në asnjë mënyrë maqedonas. Me një term të tillë ata do të mund të ju drejtohen dy futbollistëve të Tiranës, Filip Najdovski dhe Kristijan Toshevski, por jo edhe emrave të futbollistëve si, Mevlan Adili, Demir Imeri, Egzon Belica, Besnik Ferati, Jasir Asani, etj, që gjithashtu kanë gjakë të pastërt shqiptari.