Super Atalanta demolon Lacion në “Olimpiko”, Interi “manita” ndaj Beneventos së Inzaghit (VIDEO)

Super Atalanta demolon Lacion midis Olimpikos. Ky është përshkrimi më i mirë për ndeshjen e sontme midis Lacios dhe Atalantas, e vlefshme për javën e dytë në “Serie A”, shkruan “infOSport.mk”.

Skuadra nga Bergamo shënoi fitore 4:1, ndërsa pjesa e parë ishte ajo që vulosi fituesin. Në këtë pjesë Atalanta falë golave të shënuar nga Gosens, Hateboer dhe Gomez avansoi me shifrat 3:0, ndërsa në pjesën e dytë që të dyja skuadrat shënuan vetëm nga një gol. Fillimisht “lacialët” në minutën e 57-të përmes Kaisedos ngushtuan rezultatin në 1:3, ndërkohë Gomez me golin e dytë personal në minutën e 61-të vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, Lacio 1, Atalanta 4.

Një fitore bindëse realizoi edhe Interi në transfertën ndaj Beneventos së Filip Inzaghit. “Zikaltërit” e Antonio Kontes shënuan fitore 5:2, ndërsa fitoren e tyre e paralajmëroi Lukaku vetëm pas 28 sekondave lojë.

Sulmuesi belg shënoi edhe golin e tretë, vetëm pak minuta pasi Galjardini kishte dyfishuar shifrat, ndërkohë një gol tjetër për Interin në pjesën e parë kishte realizuar edhe përforcimi i merkatos së verës, Ashraf Hakimi.

Golin e 5-të për Interin e realizoi Lautaro Martinez, ndërkohë për ekipin vendas që të dy golat, nga një në secilën pjesë i realizoi Kaprari.

Që nata e mërkurë të jetë e skuadrave mysafire, u përkujdes edhe Specia që falë “dopietës” së bullgarit Galabinov mundi Udinezen në “Friuli” me shifrat 2:0.

Falë fitoreve të sonte, Interi dhe Atalanta iu bashkuan skuadrave si Napoli, Milan dhe Verona, që të gjithë këto skuadra me nga 6 pikë.

Leave a Reply