Sedat Berisha mundi Prishtinën e Zekirja Ramadanit

Sot në elitën e futbollit kosovar në program ishin ndeshjet e xhiros së katërt, e cila me vete solli edhe përballjen midis Trepçës ’89 dhe Prishtinës, ndeshje kjo që zgjoi interesim edhe në opinionin sportiv këtu në vendin tonë, njofton “infOSport.mk”.

Kjo për arsye se pjesë e skuadrës mitrovicase nga ky edicion është Sedat Berisha, ndërsa në anën tjetër skuadra me më shumë trofe në Kosovë, Prishtina udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani.

Që të dy kanë një lidhshmëri të ngushtë me FC Shkupin, aty ku edhe kishin krijuar identitetin e tyre, për më tepër Ramadani, i cili një periudhë ka luajtur edhe rolin e trajnerit.

Megjithatë në takimin e sotëm, nxënësi, Sedat Berisha, doli të jetë më i suksesshëm se profesori, Zekirja Ramadani, pasi në fund Trepça ’89 shënoi fitore minimale 1:0. Golin e vetëm për ekipin “zigjelbër” e realizoi Arbnor Muja nga pika e bardhë në minutën e 82-të.

Për Prishtinën ishte kjo disfata e parë në 3 ndeshje të zhvilluara, me ç’rast kjo skuadër me 4 pikë mban pozitën e 5-të, ndërkohë Trepça ’89 me 6 pikë renditet në pozitën e 3-të.

Leave a Reply