Kukësi i këtij sezoni do të jetë krejtësisht ndryshe nga ai i viteve të kaluara, pasi nga skuadra është larguar pjesa më e madhe e kontingjentit që u shpall nënkampion për dy edicione radhazi.
Largimet e Mustës e Gavazajt sot i kanë vënë vulën ndryshimeve, duke sjellë edhe kritikat e tifozëve që nuk kanë kuptuar politikën e klubit.
Verilindorët kanë dalë me një reagim pas këtyre sulmeve në rrjetet sociale, duke justifikuar të gjitha lëvizjet që kanë bërë e në mënryë të çuditshme, duke sulmuar ish-kapitenin Besar Musolli.
Në reagimin e verilindorëve, të cilët larguan Musollin dy vite më parë kur ishte i dëmtuar e më pas e kthyen përsëri në skuadër pas protestave të tifozëve, akuzohet lojtari simbol i kësaj dekade në këtë klub, se nuk ka respektuar kontratën duke u larguar drejt Gjilanit, edhe pse në fakt ai ishte një lojtar i lirë.
REAGIMI I KUKËSIT
“Klubi i Kukësit ju bën me dije se merkatoja e skuadrës është menduar mirë nga stafi dhe nuk ka vend as për panik dhe as për frikë. Të gjithë futbollistët e larguar deri më tani, janë larguar me mirëkuptimin e klubit dhe janë zëvendësuar me futbollistë të tjerë, cilësorë dhe me kualitet. Besar Musolli dhe Valon Et’hemi janë futbollistët e vetëm që nuk kanë respektuar kontratën duke e prishur në mënyrë të njëanshme, pa diskutuar me klubin.
Të gjithë futbollistët e afruar në këtë merkato vere, janë studiuar mirë nga stafi para se të afrohen dhe klubi kërkon vetëm durim nga tifozët dhe opinioni. Ju sigurojmë se shumë shpejt do të shihni ekipin e ri, më të fortë dhe më kualitativ seç ishte! Puna po bëhet e madhe për të rikthyer titullin kampion në Kukës dhe me punë e besim, do t’ia dalim ta rikthejmë. Forca Kukësi!”