Të dielën u mbyll edhe java e 7-të në elitën e futbollit vendor, në të cilën Shkëndija pa shumë probleme arriti objektivin, duke mundur në transfertë Pelisterin me shifrat 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Për skuadrën e Ernest Gjokës, ishte kjo fitorja e 5-të kampionale, ku ka regjistruar gjithashtu edhe dy barazime, edhe atë që në javën e parë kundër FC Shkupit në Çair dhe në javën e katërt kundër Borecit në Tetovë.
Kështu Shkëndija rezulton të jetë skuadra e vetme në këto 7 javë të para që nuk ka pësuar disfatë, ndërsa pas tyre me vetëm nga një disfatë renditen Boreci dhe Rabotniçki. Pasojnë 4 skuadra me nga dy disfata, përfshirë këtu edhe FC Shkupin dhe Makedonija Gj.P, që renditen në pozitat dy dhe tre, ndërsa skuadra që ka pësuar më së shumti, është Bellasica.
Skuadra nga Strumica në 7 javët e para, ka pësuar po aq disfata, duke u renditur në pozitën e fundit me 0 pikë.