Muharem Bajrami është trajneri i dytë në këto 7-të javë kampionat në Ligën e Parë që shkarkohet nga detyra e kryetrajnerit, njofton “infOSport.mk”.
I pari që u shkarkua, ishte trajneri i Bellasicës, Vane Milkov, i cili dha dorëheqje për shkak rezultateve të dobëta. Ai u shkarkua javën e kaluar, kur me Bellasicën kishte regjistruar 6 disfata nga po aq ndeshje, ndërsa largimi i Bajramit erdhi vetëm pas disfatës së dytë, edhe pse FC Shkupi me të në krye, renditej në pozitën e dytë, menjëherë pas Shkëndijës.
Shkarkimi i tij nga drejtuesit e skuadrës nga Çairi solli shumë reagime, përfshirë këtu edhe reagimin e vetë Muharem Bajramit, ndërsa mbetet të shihet se cili do të jetë pasuesi i tij.
Gjithashtu opinioni sportiv në vend me shumë vëmendje po përcjellë situatën edhe te Renova, bazuar në rezultatet e fundit që kjo skuadër po i regjistron nën drejtimin e Bujar Islamit. Skuadra nga Xhepçishti pas startit të mirë, kur në 3 xhirot e para grumbulloi 7 pikë, ka regjistruar 4 disfata të njëpasnjëshme, duke bërë që të renditen vetëm në pozitën e parafundit, transmeton “infOSport.mk”.
Deri në këto momente nuk ka asnjë reagim nga ana e drejtuesve të Renovës, të cilët si duket i besojnë ende strategut të tyre, që është shumë i lidhur me këtë skuadër dhe se pikërisht Islami ndoshta për momentin është njeriu i duhur për të nxjerrë nga kriza këtë skuadër, me të cilën luajti në Liga Europa, ndërsa gjithashtu kaloi me sukses edhe raundin e parë të Kupës.