Fitore dramatike e Junajtedit në minutën e 99-të, Evertoni nuk ndalet (VIDEO)

Mançester Junajtedi ka marrë fitoren e parë në sezonin e ri, teksa sot mundi Brajtonin në udhëtim me rezultatin 3:2. Kjo ndeshje rezultoi të jetë një ndeshje e çmendur, teksa fituesi u vendos vetëm në minutën e 99-të.

Ishin vendasit që kaluan të parët në avantazh me anë të Mupai, i cili në minutën e 40-të nuk gaboi dhe shënoi nga pika e bardhë. Megjithatë gëzimi i futbollistëve vendas nuk zgjati shumë, pasi vetëm 3 minuta më pas, një autogol i Dunk solli simetri në rezultat.

Kështu pjesa e parë u mbyll me shifrat 1:1, ndërsa e dyta nisi menjëherë me raste të shumta, ku vendasit ishin më kërkues. Mirëpo pavarësisht rasteve, ishte ekipi i Solskjaer që kaloi në avantazh.

Rashford pas një pasimi të gjatë të marrë nga Bruno Fernandesh, lëviz bukur në zonën kundërshtare duke shënuar golin e përmbysjes. Avantazhin Junajtedi e ruajti deri në fund, dhe kur dukej se ndeshja do mbyllej me fitoren e miqve, erdhi edhe goli i barazimit.

Në minutën e 95-të, pas një asisti të marrë nga Uebster, Març ia del ta dërgojë topin në rrjetë për të barazuar shifrat. Kur të gjithë mendonin se ndeshja do mbyllej në barazim, Junajtedi fitoi një penalti në minutën e 99-të, të cilën në gol e shndërroi Bruno Fernandesh, për t’i dhënë fitoren e parë të sezonit ekipit të Solskjaer.

Ndërkohë Evertoni i Karlo Ançelotit ka marrë edhe fitoren e 3-të nga po aq ndeshje të zhvilluara. “Karamelët” në ndeshjen e dytë të ditës së sotme mundën Kristal Pallasin në udhëtim me shifrat 2:1. Gjithçka interesante në këtë ndeshje, sa u përket golave të shënuar në këtë ndeshje, ndodhi në 45 minutëshin e parë. Evertoni ishte skuadra që avansoi e para në këtë përballje, falë golit të Dominik Kalvert Levin që në minutën e 10-të.

Vendasit e Kristal Pallas barazuan shifrat në 1:1 në minutën e 26-të, me anë të Kujate, ndërsa për fitoren e skuadrës së Ançelotit u pëkujdes, braziliani Riçarlson, i cili 5 minuta para fundit të pjesës së parë doli të jetë i saktë nga pika e bardhë.

Leave a Reply