Bojkoti i kampionatit shqiptarë, gati të ndërhyjë edhe UEFA

Futbolli nuk po luan për javën e tretë. E teksa kanë paraqitur si kusht për ndërprerjen e bojkotit një takim me kryeministrin ose miratim të katër ligjeve, ende nuk duket asnjë lloj akordi në horizont. Qeveria nga një anë vijon me idenë e saj të paketave fiskale apo edhe të të ashtuquajturit reformim të sportit me një paketë ligjore.

Sporti, dhe futbolli specifikisht, nuk tërhiqet. E nëse kjo panoramë do të vijojë edhe për shumë kohë, pra nëse s’do të ketë marrëveshje më së paku brenda shtatorit, pritet që “në lojë” të futet UEFA.

“Panorama Sport” ka mësuar planin paraprak se çfarë mund të ndodhë në vendin tonë si një… fazë e dytë. Mungesë akordi Teksa të dyja palët janë të deklaruara se do të qëndrojnë në këndet e tyre, duke mos bërë asnjë lloj lëshimi dhe duke mos lënë asnjë shteg për marrëveshje, bojkoti po bëhet i papranueshëm dhe po tejkalon çdo limit. Në këtë moment, gazeta ka mësuar se dy janë mundësitë dhe se çfarë mund të ndodhë.

Në të dyja rastet, pritet që të jetë UEFA aktori kryesor dhe, si të thuash, lojtari kryesor që “do të zbresë në fushë” për t’i dhënë zgjidhje situatës. UEFA “në fushë” Pritet që në javët në vazhdim, në mungesë të një akordi dhe “marrëveshjeje” mes palëve, të jetë UEFA ajo që do të mundohet t’i japë një zgjidhje kësaj situate.

Një variant është që një prej funksionarëve të lartë të qeverisë europiane të futbollit apo një delegacion të mbërrijë në vendin tonë dhe të kërkojë takim me kryeministrin Edi Rama. Në të kundërt, do të jetë i njëjti funksionar apo që mund të përdorë kanalet e komunikimit zyrtar me kreun e qeverisë shqiptare, qoftë edhe pa mbërritur në vendin tonë, me anë të një telefonate zyrtare apo edhe komunikimi me postë elektronike.

Situata

Klubet thonë se e kanë të pamundur që me këtë shtrat ligjor, të përballojnë mbijetesën dhe për këtë kanë hartuar katër kërkesa drejtuar kryeministrit Rama, të bazuara, sipas tyre, në premtimet dhe deklaratat e këtij të fundit në takimin e marsit 2019. Në vijim të kësaj atmosfere, nëse palët do të vijojnë që të jenë larg njëra-tjetrës me qëndrimet e tyre, atëherë pritet që UEFA të vijë me një “kërcënim”.

Në këtë rast, kërcënimi ka të bëjë me vetë situatën ku ndodhen ekipet shqiptare krahasimisht me masat dhe rregulloret shtrënguese që ka ky institucion për licencimin e ekipeve, të paktën për Kupat e Europës.

Thënë shkoqur: Qeverisë do t’i bëhet me dije se shpejt UEFA nuk do të bëjë asnjë lloj lëshimi për klubet shqiptare, lidhur me gjendjen ku janë në raport me standardet për licencimet. Kësisoj, në një mënyrë apo një tjetër, topi për mbijetesën e futbollit do të mbetet në zyrat e qeverisë dhe të kreut të saj nga ku edhe pritet më së paku vullneti për t’i dhënë zgjidhje.

 

Leave a Reply