Meglenski do të jetë asistenti i parë i Muharem Bajramit te FC Shkupi

Toni Meglenski, ish kapiteni i Pobedës dhe njëherit ish trajner i skuadrës nga Prilepi, prej sot edhe zyrtarisht është pjesë e stafit teknik të FC Shkupit, njofton “infOSport.mk”.

39-vjeçari ëhtë emëruar si ndihmës i parë i trajnerit Muharem Bajrami, që tashmë do ta ketë më lehtë për të punuar gjatë seancave stërvitore, duke pasur parasysh se pjesë e stafit të tij është edhe trajneri kondicional, Enes Qaili.

Ndryshe Meglenski ka pasur një karrierë të bujshme futbollistike, duke luajtur për skuadra të ndryshme në futbollin vendor, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në Shqipëri, Kroaci dhe Mal të Zi. Pjesën më të madhe të karrierës e kishte kaluar te skuadra e qytetit të tij, Pobeda e Prilepit, ku kishte provuar veten edhe si trajner, ndërsa gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Vardarit, 11 Oktomvrit, Pelisterit dhe së fundmi Tikveshit.

Skukadrën e Pobedës e kishte udhëhequr në 40 ndeshje, gjatë sezoneve 2017/2018 dhe 2018/2019, duke regjistruar 10 fitore, 5 barazime dhe 25 disfata, transmeton “infOSport.mk”.

FC Shkupi po përgatitet për ndeshjen e dielës kundër Struga Trim Lum, që do ta zhvillojë në transfertë.

Kujtojmë pas 6 xhirove të para, skuadra nga Çairi ka regjistruar 4 fitore, 1 barazim dhe 1 disfatë, duke u renditur në pozitën e dytë me 13 pikë, një më pak se Shkëndija e vendit të parë.

Leave a Reply