Seleksionuesi i përfaqësueses së vendit, Igor Angellovski me 1 tetor do të bëjë grumbullimin e futbollistëve, të cilët do të jenë të gatshëm për ndeshjet e tetorit, përfshirë këtu edhe ndeshjen më të rëndësishme viteve të fundit, atë kundër përfaqësueses së Kosovës, njofton “infOSport.mk”.
Për herë të parë Maqedonia do të zhvillojë 3 ndeshje të njëpasnjëshme brenda një muaji, duke pasur parasysh se përveç me Kosovën, “verdhekuqtë” do të luajnë edhe kundër Gjeorgjisë dhe Estonisë.
Për këto 3 ndeshje Angellovski nuk do të ndryshojë shumë në formacion, pasi pritet që të llogarisë në forcat e njëjta.
Ndeshjen kundër Kosovës, e vlefshme për gjysmëfinale të Ligës së Kombeve për edicionin e kaluar, Maqedonia do ta zhvillojë me 8 tetor në arenën “Todor Proeski”, që më pas të zhvillojë edhe dy ndeshjet e rradhës në kuadër të Ligës “C” për edicionin 2020/2021, me Estoninë në Talin dhe Gjeorgjinë në Shkup.