Vedat Muriqi bëri një hap të madh në karrierë, teksa vetëm pak ditë më parë zyrtarizoi kalimin e tij nga turqit e Fenerbahçes te skuadra e madhe italiane e Lacios.
Megjithatë aventura e Muriqit te Lacio nuk ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi sulmuesi kosovar së fundmi ka zbuluar se është pozitiv me Koronavirus.
Sipas asaj që shkruan “Tuttomercatoweb”, lojtari i përfaqësueses së Kosovës është infektuar me Koronavirus pas kalimit te Lacio, teksa kjo është zbuluar nga testet e bëra së fundmi.
Në këtë situatë, Muriqi është i detyruar të qëndrojë në karantinë për një periudhë 2 javore, për t’iu nënshtruar më pas testit të radhës, i cili nëse del negativ, atëherë sulmuesi do të ishte i gatshëm të bashkohej me Lacion për të qenë gati në ndeshjet e kampionatit.