
Shkëndija shënoi fitore 2:1 në përballjen e javës së 6-të kundër Akademia Pandev, njofton “infOSport.mk”. Që të dy golat për “kuqezinjtë” në këtë përballje i realizoi Besart Ibraimi, i cili si duket dalëngadalë po i rikthehet formës së vjetër, ndërsa kjo gëzon gjithë tifozët e Shkëndijës, por edhe vetë klubin tetovar, pasi me një Besart në formën më të mirë, Shkëndija mban kreun e tabelës.
Golin e parë ndaj skuadrës nga Strumica, Besart Ibraimi e realizoi në minutën e 38-të, kur me të majtën e tij vendosi topin pas shpinës së Alçevskit.
Portieri i talentuar i Akademia Pandev në startin e pjesës së dytë bëri një super pritje, duke dalë fitues këtë herë përballë bomberit “kuqezi”, i cili megjithatë arriti që të tund rrjetën e 19-vjeçarit, këtë herë në minutën e 74-të nga pika e bardhë.
Nuk vonoi shumë dhe 4 minuta më vonë, Akademia Pandev me anë të Sashko Pandev, njëherit vëllait të Goran Pandev, që gjithashtu kishte shënuar me Xhenoan në “Serie A”, arriti që të shënojë golin e nderit, mirëpo që vlente vetëm për statistikë, pasi skuadra nga Strumica vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit me vetëm 3 pikë të tubuara.
Në anën tjetër Shkëndija me 14 pikë mban kreun e tabelës, duke lënë pas vetes FC Shkupin, që ka një pikë më pak.