Shkëndija edhe një herë gëzon gjithë mbështetësit e saj me suksesin e radhës në Europë. Perla e Besart Ibraimit në minutën e dytë ka mjaftuar për fitore 1:0 ndaj Botoshanit në Rumani, ndërsa kualifikimi në raundin e tretë eliminator të liga Europa ju ka siguruar atyre një përballje me gjigandët anglez të Totenhamit.
Kjo ndeshje në program është të enjten e ardhshme në Shkup, ndërsa pas këtij suksesi trajneri Ernest Gjoka nuk ka fshehur gëzimin në konferencën për shtyp, duke përgëzuar skuadrën për kualifikimin në turin tjetër.
“Ndeshja ishte një ndeshje shumë e vështirë. Ne e thamë edhe dje në konferencën tjetër për shtyp. E dinim kë kishim për kundërshtarë, e dinim potencialin e tyre, plus që ne luanim në transfertë në shtëpinë e tyre. Unë mendoj se arritëm të shënojmë, të bëjmë detyrën ashtu si duhet dhe mendoj se kjo është një fitore që i meriton fjalët më të mira skuadra për shpirtin e garës që bëri dhe për anën e disciplinës taktike që e zbatuan me përpikmëri deri në fund” – tha Ernest Gjoka në konferencën për shtyp të organizuar pas përfundimit të ndeshjes.