Muhamed Useini do të humbas startin e kampionatit në elitën e futbollit kosovar, që starton këtë fundjavë, njofton “infOSport.mk”. Useini pësoi një lëndim të rëndë në miqësoren e fundit, që Gjilani i tij e zhvilloi kundër Arbërisë.
Për shkak seriozitetit të lëndimit, Useini menjëherë ishte dërguar në spitalin e Prishtinës, ndërsa pas ekzaminimeve më të detajuara mjekësore, u konstatua se mesfushori tetovar i Gjilanit ka zgjatur dhe ka këputur disa nga ligamentet e nyjes së poshtme të këmbës.
Muhamed Useini lëndohet në miqësoren me Arbërinë, dërgohet me urgjencë në spitalin e Prishtinës!
E gjithë kjo kërkon një rehabilitim më të gjatë, ndërsa informacionet e para mjekësore, thonë se Useini së paku duhet të pauzojë 6 javë, transmeton “infOSport.mk”.
Kështu motori i mesfushës së Gjilanit do të humbas ndeshjet më të rëndësishme të skuadrës, përfshirë këtu edhe derbin e Anamoravës, atë kundër Dritës. Useini nuk do të mund të luaj gjithashtu edhe përballë Feronikelit, Llapit, Ballkanit, Drenicës dhe Arbërisë.
Rikthimi i tij, nëse gjithçka shkon sipas planit, pritet të ndodhë në kuadër të javës së 7-të, në ndeshjen kundër Trepça ’89.