Një padrejtësi e vërtetë po vazhdon të qëndrojë “aktive” edhe pse për Renovën e Xhepçishtit më i rëndësishëm ishte dhe mbetet kualifikimi në raundin e dytë eliminator të UEFA Europa League.
Renova fitoi 1:0 Alshkert-in e Armenisë në raundin e parë të kësaj gare europiane dhe paralel me lajmin se ekipi nga Xhepçishti i Tetovës befasoi duke eliminuar armenët favoritë, në tituj spikat emri i mbrojtësit Nenad Mishkovski si “heroi” që solli fitoren dhe kualifikimin me golin e realizuar. Natyrisht, pa minimizuar kontributin e mbrojtësit në suksesin e Renovës, ashtu si edhe gjithë lojtarëve tjerë, mbetet i pabesueshëm fakti se arbitrat, delegati, mediat, madje edhe përfaqësuesi zyrtar i klubit nuk kishin potencuar se goli vendimtar i vlefshëm 260 000 euro për Renovën mbante firmën e lojtarit të gabuar, pasi i njejti u realizua nga Shefit Shefiti.
Mjafton të shihen pamjet filmike dhe përsëritjen e golit për të qartësuar një dilemë që nuk duhej të ekzistonte fare dhe amnesti për “lëshimin” profesional nuk ka as për autorin e këtij teksti! Është fakt se në kushte kur u realizua kualifikimi, për Renovën nuk ka fare rëndësi se kush shënoi golin, por për një lojtarë të ri e ambicioz si Shefit Shefiti, që kërkon të bind në potencialin që posedon, rëndësi kruciale ka t’i qëndrojë pas emrit të tij një fakt i padiskutueshëm se pikërisht ai shënoi golin e parë personal në Kupat e Europës, se goli i tij ishte vendimtar në fitoren 1:0 të Renovës ndaj Alshkert-it të Armenisë, se ai realizim kualifikoi skuadrën e tij në raundin e dytë të Europa League dhe çka është më me rëndësi, ai gol ka vlerën e të paktën 260 000 eurove që do të zbarkojnë në arkat e xhepçishtasve si shpërblim nga UEFA.