Janë mbyllur edhe 3 takimet e fundit të ditës së sotme në kuadër të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”. Ashtu edhe siç pritej, Belgjika ka fituar në udhëtim kundër Danimarkës, me rezultatin 0:2. Nga një gol në secilën pjesë për belgët, të cilët hapën rezultatin që në minutën e 9-të me anë të Jason Denayer.
Golin e dytë në pjesën e dytë për Belgjikën e realizoi ylli i Napolit, Dries Mertens në minutën e 77-të.
Kështu Belgjika kryeson grupin e dytë në Ligën “A” para Anglisë që sot më herët regjistroi fitore minimale 0:1 ndaj Islandës në udhëtim.
Portugalia mposhti me rezultatin 4:1 kombëtaren e Kroacisë, e cila dukej inferiore në këtë ndeshje.
Goli i parë i këtij takimi erdhi nga mbrojtësi i Mançester Sitit, Zhoao Kanselo, i cili me të majtën e tij shënoi një super gol 4 minuta para fundit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, ylli i Vulverhempton, Diogo Jota, shënoi për 2:0, atëherë kur luhej minuta e 58-të.
20 minuta para fundit të takimit, Portugalia shënoi edhe një herë me anë të Zhoao Feliks, për rezultatin 3:0
Rezultati final u vendos nga Petkovic dhe Andre Silva. Në minutën e 91′ kroati shënoi për 3:1, kurse në minutën e 94-të, Silva shënoi për 4:1.
Me këtë fitore, Portugalia merr kreun e tabelës në grupin 3 të Ligës “A”, me 3 pikë, aq sa ka edhe Franca që sonte fitoi 0:1në udhëtim ndaj Suedisë.
Kështu kampionët e Botës e nisën me fitore aventurën e re në Ligën e Kombeve.
Golin e vetëm në këtë takim për “gjelat” e shënoi Kylian Mbape, në minutën e 41-të.
Antuan Grizman kishte mundësi të shënonte për 0:2, por në minutën e pestë shtesë të takimit u tregua i pasaktë nga pika e bardhë.