Kosova ka pësuar disfatë 2:1 në ndeshjen e xhiros së dytë në grupin 3 të Ligës “C” të Kombeve, duke zhgënjyer shumë tifoz shqiptarë ane mbanë Botës, njofton “infOSport.mk”.
Mungesat e mëdha, si Muriqi, Rashica, Kololli, ndikuan shumë në lojën e “Dardanëve”, të cilët pësuan gol vetëm pas 3 minutave lojë, kur
Dimitrios Limnios arriti që të mposhtë portierin Samir Ujkani.
Kosova tentoi përmes Arbër Zenelit të rikthehet në lojë, mirëpo pa rezultat, teksa vetëm pak çaste më pas Atdhe Nuhiu provoi me kokë.
Në fundin e pjesës së parë, rrezikoi me një goditje Ibrahim Dresheviç dhe Besar Halimi, mirëpo rezultati mbeti i pandryshuar, me Greqinë që në pushim shkoi me një gol epërsi.
Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën, grekët shënuan shumë herët. Kësaj rradhe kaluan 6 minuta në këtë pjesë, kur mbrojtësi Siovas (51′) dyfishoi epërsinë, kjo falë edhe reagimit të dobët të mbrojtjes, me në krye Amir Rrahmanin.
Kosova vazhdoi të dominojë në fushën e blertë, mirëpo goli asesi të vinte, deri në minutën e 82-të, kur në skenë doli Bernard Berisha, që shënoi një super gol për rezultat 1:2.
Deri në fund, skuadra e drejtuar nga Challandes kërkoi golin e barazimit por nuk e gjeti falë një mbrojtje të ngjeshur të Greqisë.
Falë kësaj fitore, Greqia me 4 pikë udhëheq grupin 3, ndërsa Kosova me 1 pikë mban pozitën e 3-të.