Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut edicionin e ri në Ligën e Kombeve e ka nisur me këmbë të mbarë, pasi sot në ndeshjen e parë të grupit 2 në kuadër të “Ligës “C” mposhti Armeninë me shifrat 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Që të tre golat në këtë ndeshje u shënuan nga penaltia, ashtu që me plotë të drejtë kjo ndeshje mund të quhet si ndeshje e penaltive.
Ishte Ezgjan Alioski që shënoi golin e parë të takimit, edhe atë vetëm pas 5 minutave lojë, kur doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, njëjtë sikurse shoku i tij i skuadrës, Ilije Nestorovski, që një gjë të tillë bëri në minutën e 38-të.
Kjo epërsi prej dy golash solli një siguri në lojën e përfaqësueses së vendit tonë, që mjaft mirë administroi lojën deri pak minuta para fundit, atëherë kur në minutat shtesë, armenët përfituan një penalti tjetër, të tretën në këtë takim, që e akordoi arbitri boshnjak, Pjelto.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar penaltinë për Armeninë, e morri ish futbollisti i Vardarit, Tigran Barsegian, i cili nuk gaboi dhe në minutën e 94-të vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Maqedonia e Veriut 2, Armenia 1.
(Foto: gol.mk)