Heshtni të gjithë! Tani flet Lionel Mesi. Nga 25 gushti, datë kur dërgoi burofaksin në zyrat e klubit për të kërkuar largimin, deri ditën e djeshme janë thënë shumë të vërteta dhe të pavërteta.
Dje, më 4 shtator kapiteni i Barcelonës vendosi zyrtarisht qëndrimin në klub dhe shpjegoi arsyet në një intervistë për “goal.com”.
Në orën 18:00 (orar kur u publikua intervista), sytë e të gjithë botës ishin nga Barcelona.
Leo, pse i komunikuat Barcelonës vendimin për t’u larguar?
I thashë klubit dhe mbi të gjitha presidentit që doja të largohesha. Ia kisha thënë gjatë gjithë vitit diçka të tillë dhe mendoja se ishte momenti i duhur për të hedhur këtë hap në karrierë. Mendoja se klubi kishte nevojë për talente, njerëz të rinj dhe mendoja se aventurës time te Barcelona i kishte ardhur fundi. Më vinte shumë keq sepse gjithmonë e kam thënë që doja ta përfundoja karrierën në këtë klub.
Por pse ndryshuat mendje dhe menduat që të iknit?
Ishte një vit shumë i vështirë për mua. Kam vuajtur shumë në stërvitje, gjatë ndeshjeve dhe në dhomat e zhveshjes. M’u bënë gjërat shumë të vështira dhe erdhi një moment ku doja të kërkoja objektiva të tjerë, oksigjen të ri. Nuk erdhi ky vendim si rrjedhojë e humbjes në Champions kundër Bajernit. Këtë ide e kisha menduar prej kohësh. Ia kisha thënë presidentit dhe ai më kishte thënë se në fundin e sezonit mund të largohej dhe do të bisedonin sërish. Por ai nuk e mbajti fjalën.
U ndiet vetëm në këto momente?
Jo. Vetëm nuk jam ndier kurrë. Në krahun tim kanë qenë gjithmonë njerëzit që kanë qenë gjithmonë. Kjo më mjaftonte për të më bërë të fortë. U ndjeva i zhgënjyer nga fjalët që dëgjova nga njerëzit, nga mediat, nga ata që vunë në dyshim barcelonizmin tim dhe thanë gjëra që mendoj se nuk i meritoja.
Por kjo situatë më shërbeu për të kuptuar se kush janë njerëzit në të vërtetë. Në botën e futbollit ka shumë njerëz të pavërtetë dhe është shumë e vështirë të mbijetosh. Kjo kohë më shërbeu për të kuptuar cilët ishin njerëzit falsë që më rrethonin. Këtë gjë e vuajta shumë dhe sidomos faktin që u vu në dyshim dashuria ime për këtë klub. Nuk ka rëndësi nëse do të qëndroj apo do të largohem, por dashuria ime për këtë klub nuk do të ndryshojë kurrë.
Ju dëgjuat gjithçka në këtë histori, që nga paratë, që nga miqtë e Mesit etj. Çfarë ju “vrau” më shumë pas 20 vitesh me fanellën e Barcelonës?
Pak nga të gjitha. Unë gjithmonë kam vënë Barcelonën përpara të gjithave. Kam pasur mundësinë për t’u larguar nga Barcelona për shumë kohë, por nuk e kam bërë kurrë. Kam pasur gjithashtu mundësi që të largohem dhe të fitoj më shumë sesa te Barcelona. Por unë e konsideroj këtë skuadër dhe këtë qytet si shtëpinë time. Më mirë se këtu nuk do të gjeja në vend tjetër. Por thjesht mendova që kishte ardhur koha për objektiva të tjerë dhe për gjëra të reja.
Në fund të fundit është e vështirë të hiqni dorë kaq lehtë nga 20 vite, nga jeta e familjes, nga qyteti. Mendoj se kjo ka peshuar më shumë në vendimin tuaj për të qëndruar. Mund ta themi që do të qëndroni te Barcelona, apo jo?
Sigurisht që e kisha të vështirë të vendosja. Unë e thashë që dëshira për t’u larguar nuk erdhi pas humbjes me Bajernin, por sepse ndodhën shumë gjëra. Unë e kam thënë që ëndrra ime e madhe është ta mbyll karrierën te Barcelona, por kam dashur një projekt fitues. Dua të fitoj tituj për të vazhduar legjendën e Barcelonës. E vërteta është që ky klub prej kohësh nuk ka më as projekt dhe asgjë. Janë duke bërë gjëra të çuditshme që publikohen gjithmonë në media. Por unë gjithmonë kam dashur të mirën e familjes sime dhe të klubit.
Çfarë ndodhi në familje kur komunikuat se do të largoheshit nga Barcelona?
Kur i thashë bashkëshortes dhe fëmijëve që mund të largoheshim, ndodhi një dramë e madhe. Të gjithë nisën të qanin. Fëmijët e mi nuk donin që të largoheshim nga Barcelona dhe të ndryshonin shkollën. Por unë po shikoja përtej kësaj pjese. Doja të fitoja tituj, të luftoja për Champions. Champions-in mund ta fitosh dhe mund ta humbasësh, sepse është i vështirë, por në fund të fundit provon dhe lufton për të. Nuk mund të bëja më figura të shëmtuara si në Romë, Liverpul apo Lisbonë.
Por çfarë ndodhi, pse u tërhoqët?
Unë mendoja dhe ishim të sigurt që do të isha lojtar i lirë pas përfundimit të sezonit. Presidenti gjithmonë më tha që në fundin e sezonit mund të vendosja nëse do të qëndroja apo do të largohesha. Tani thonë që duhet ta thosha më 10 qershor, por unë nuk mund ta bëja këtë sepse po luftonim për titullin kampion. Ishte ky virus mu… që shtyu të gjitha datat dhe përfundimin e sezonit. Për këtë fakt unë vendosa të qëndroja në skuadër. Pas takimit me presidentin ai tha se e vetmja mënyrë për t’u larguar ishte klauzola 700 milionë euro.
Këtë klauzolë vështirë se do ta paguajë ndonjë skuadër…
Tani do të vazhdoj të qëndroj te Barcelona sepse pagesa e klauzolës është shumë e pamundur. Pastaj nuk kishte mënyrë tjetër për t’u larguar nga klubi pa gjyq. Unë kurrë nuk do të shkoja në gjyq kundër Barcelonës, sepse është klubi që dua dhe që më dha gjithçka që nga fëmijëria deri tani. Është klubi i jetës sime dhe unë i kam dhënë gjithçka. Kurrë nuk e çova ndërmend që të largohem nga Barcelona me gjyq. Kisha të drejtën time për t’u larguar dhe jam i sinqertë kur e them që e mendova këtë, por kurrë me gjyq. Doja të largohesha për të jetuar i lumtur vitet e mia të fundit në futboll.
Po tani si do të riktheheni pas dëshirës për t’u larguar?
Unë do të qëndroj te Barcelona dhe sjellja ime nuk do të ndryshojë për faktin që doja të largohesha. Do të jap më të mirën time. Unë gjithmonë dua të fitoj sepse nuk më pëlqen kurrë të humbas. Dua më të mirën për klubin dhe për veten. Unë e thashë në momentin e duhur që nuk kishim skuadër për të fituar Champions-in dhe rezultoi e vërtetë. Tani nuk e di çfarë do të ndodhë. Kemi një trajner të ri dhe ide të reja. Kjo është diçka e mirë, por të shohim se si do të përgjigjet skuadra. Unë mund të them që do të jap maksimumin.
Çfarë ju thoshte bashkëshortja gjatë kësaj kohe?
Ka qenë një moment i vështirë për të gjithë ne. Ajo e dinte se çfarë doja dhe pse vinte ky vendim. Sigurisht që ishte e mërzitur, por më mbështeste në të gjitha vendimet.
Por më i rëndësishmi i familjes është Mateo…
(Qesh…) Po. Mateo është ende i vogël dhe nuk e kupton se çfarë do të thotë të largohesh në një tjetër vend kur ke qëndruar për vite me radhë në një qytet. Tiago po, është më i madh. Ai dëgjoi diçka në televizor dhe më pyeste gjithmonë. Nuk doja që ta merrte vesh që mund të largoheshim, sepse do t’i duhej të ndryshonte shkollën dhe të bënte miq të rinj. Ai qante dhe më lutej që të mos largoheshim. E përsëris që është shumë e vështirë.
Le të flasim pak për burofaksin e famshëm…
Burofaksi ishte për ta bërë kërkesën time për largim në mënyrë zyrtare. Gjatë gjithë vitit i thashë presidentit që doja të largohesha dhe që ishte momenti për të provuar të tjerë objektiva, por ai merrte kohë duke thënë që do të flasim më vonë, që do të diskutojmë gjërat etj. Burofaksi nuk ishte për të krijuar polemika apo për të dalë kundër klubit. Ishte thjesht për ta bërë zyrtare.
Nëse nuk do ta dorëzonit burofaksin atëherë gjërat do të kalonin në heshtje…
Po. Por nëse nuk do të dërgoja burofaksin, do të kalonte gjithçka në heshtje. Do të mbetej një vit nga kontrata dhe do të qëndroja. Dua ta përsëris edhe një herë për ata që thanë se duhet ta kërkoja zyrtarisht largimin më 10 qershor: Ishim duke luajtur. Por presidenti më zhgënjeu. Nuk doja të futesha në luftë me klubin.