Një tjetër futbollistë i Kombëtares shqiptare sezonin e ri garues do të luaj në “Serie A”. E përditshmja e njohur shqiptare, “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se mbrojtësi 23-vjeçar, Ardian Ismajli, ka arritur marrëveshje me klubin e sapongjitur në elitën italiane, Specia.
Lajmin e bën të ditur për gazetën edhe vetë menaxheri i Ismajlit, Erkan Sulejmani.
“Po, është e vërtetë. Pas tri ditësh diskutime, më në fund vendosëm që Ardiani të shkojë te Specia. Ishim në negociata edhe me Beneventon, por Specia bindi për ofertën edhe klubin e Hajduk Split që ka kartonin”, ka thënë menaxheri i mirënjohur shqiptarë, i cili gjithashtu ka në menaxhim edhe mesfushorin e Kombëtares franceze, Thomas Lemar, i cili luan te Atletiko Madrid. Ndërkohë, gazeta zbulon gjithashtu se në total transferimi i Ismajlit skuadrës së Specias do ti kushtojë 7.2 milionë euro.
Nga kjo shumë, 3 milionë euro do të shkojnë në arkat e skuadrës së Hajduk Split, ndërsa vetë Ismajli me skuadrtën italiane ka firmosur kontratë 4-vjeçare. Në total ai do të përfitojë në këto katër sezone si pjesë e Specias 4.2 milionë euro, diçka më shumë se 1 milionë euro në sezon.
Një kalim i bujshëm i qendërmbrojtësit, i cili deri më tani ka vetëm dy skuadra në karrierë: Prishtina dhe Hajduk Split. Nga transferimi te kroatët ai fitoi edhe ftesën në Kombëtaren shqiptare, duke u bërë shumë shpejt titullar, ndërsa tashmë bën një hap galopant drejt Italisë.
Prezantimi i Ismajlit te Specia do të bëhet ditëve në vijim, por kjo do të varet edhe nga trajneri Reja. Nëse lojtari riaftësohet për ndeshjen me Lituaninë më 7 shtator, atëherë do të shtyjë për pak ditë prezantimin te italianët. Kujtojmë që Ismajli nuk ka udhëtuar me “kuqezinjtë” drejt Bjellorusisë, pasi ka pësuar një dëmtim dhe kjo ia bëri të pamundur aktivizimin.