Ndeshja midis dy kombëtareve të mëdha, Gjermanisë dhe Spanjës, e vlefshme për Ligën A të Kombeve është mbyllur me barazim 1:1, njofton “infOSport.mk”.
Që të dy golat në këtë ndeshje u realizuan gjatë pjesës së dytë, me “pancirët” që avansuan të parët falë golit të shënuar nga sulmuesi i ri i Çelzit, Timo Verner në minutën e 51-të. Ky gol ishte valid deri në minutën e 96-të, kur falë golit të Gaja, Spanja barazoi shifrat në 1:1.
Takimi tjetër në kuadër të Ligës A, midis Ukrainës dhe Zvicrës, u takoi vendasve, që në fund shënuan fitore 2:1.
Andriy Yarmolenko dhe Oleksandr Zinchenko shënuan për Ukrainën, ndërsa golin e vetëm për Zvicrën e realizoi Haris Seferoviç.
Në Ligën B, Rusia me shifrat 3:1 mundi Serbinë, Bullgaria barazoi 1:1 me Irlandën, ndërkohë Uellsi dhe Hungaria shënuan fitore minimale në udhëtim te Finlanda, gjegjësisht Turqia.
Në Ligën C përveç duelit Moldavi-Kosovë, në program ishte edhe dueli midis dy kombëtareve nga Ballkani, Sllovenisë dhe Greqisë, ndeshje kjo që u mbyll me barazim pa gola.
Me barazim pa gola përfundoi edhe ndeshja e parë e edicionit të ri të Liga Europa midis Letonisë dhe Andorës, ndërkohë në ndeshjen me më shumë gola, Ishujt Faroe me rezultatin 3:2 mundën Maltën.
Nesër në program janë edhe 8 përballje tjera, përfshirë këtu edhe ndeshjen e Ligës C midis Bjellorusisë dhe Shqipërisë.