Liga e Kombeve do të ngrejë mbrëmjen e sotme siparin e edicionit të dytë të saj dhe në fushë do të zbresin plot 20 skuadra, ndërsa e gjithë vëmendja do të përqëndrohet në “Mercedes Benz Arena” të Shtutgartit, ku Gjermania do të presë Spanjën.
Dy prej superfuqive të futbollit europian do të përballen për herë të 24-të në histori, teksa bilanci aktual flet në favor të “pancerave” me 9 fitore, 7 barazime dhe 7 humbje, ndërsa ndeshja e fundit mes të dyjave ka qenë dy vite më parë në një miqësore që përfundoi me shifrat 1:1.
Trajneri gjerma Joakim Lëv ka lënë jashtë listës së të grumbulluarve një pjesë të mirë të futbollistëve të Bajernit të Munihut, me arsyetimin se kanë nevojë për pushime, pasi i shkuan deri në fund aventurës europiane.
Në konferencën e ditës së djeshme trajneri gjerman konfirmoi portierin Kevin Trapp mes shtyllave dhe anësorin e Atalantës Robin Gosens nga minuta e parë, ndërsa pjesën tjetër të formacionit e la engimë, ndonëse mediat gjermane janë të bindura se fanella titullari do të veshin edhe Niklas Shule e Leroj Sane.
Nga ana tjetër trajneri i “iberikëve”, Luis Enrike u shpreh mjaft i lumtur që do të rikthehet të drejtojë Spanjën në Ligën e Kombeve dhe paralajmëroi Gjermaninë, duke potencuar se në këtë ndeshje skuadra e tij do luaj vetëm për fitore, pavarësisht kundërshtarit.
Kjo sfidë do të startojë në orën 20:45, ndërsa po në të njëjtën orë në Ligën A luhet edhe takimi Ukrainë-Zvicër.
Në Ligën B në program janë të gjitha 4 takimet. Bullgaria në Sofje do të mirëpret Irlandën, Rusia do të përballet me Serbinë, Turqia do të mirëpret Hungarinë, ndërkohë Finlanda do të jetë nikoqir i Uellsit.
Në Ligën C, Kosova do të luaj përballë Moldavisë në Itali, derisa Slovenia në përballjen ballkanase do të luaj kundër Greqisë.
Ndeshja e parë e ditës së sotme vjen nga Liga D, aty ku Letonia do të luaj me Andorën me fillim në ora 18:00, ndërkohë në terminin e zakonshëm, 20:45, Ishujt Faroe do të luajnë me Maltën.