Skuadra e Vllaznisë që garon në Superligën e Shqipërisë nuk ka në plan të ndalet kur janë në pyetje transferimet e futbollistëve. Pasi së fundmi morën Ismael Dungën, shkodranët duan edhe një tjetër qendërsulmues.
Trajneri Tomas Brdariç ka thënë se i duhen dy lojtarë për këtë rol, ndaj edhe klubi po bëhet gati për një tjetër “goditje”.
Në planet e tyre janë dy emra, por vetëm njëri do të vijë. Në krye të listës qëndron Rubin Hebaj, me të cilin kanë kontaktuar tashmë, ndërsa gjithashtu edhe sulmuesi maqedonas, Marko Simonovski, që tashmë bie në plan të dytë.
Shkodrani Hebaj që po shkëlqen me Teutën (shënoi gol ndaj Beitar Jerusalemit në turin e parë të Liga Europa dhe dopietën ndaj Tiranës në Superkupë), është dëshira e madhe e Vllaznisë së Shkodrës, që në sezonin e ri pritet të hy me ambicie krejt ndryshe nga sezoni i kaluar, kur vetëm falë ndeshjes së balotazhit ruajti statusin e skuadrës elitare.