Një tjetër goditje e rëndë për “Digitalb”, kësaj herë vjen nga Kosova. Pasi humbi të drejtën e transmetimit të ndeshjes Tirana-Crvena Zvezda, e vlefshme për raundin eliminator të Ligës së Kampionëve, si dhe superkupën e Shqipërisë, kjo platformë televizime i ka “larë duart” zyrtarisht edhe me kampionatin e Kosovës.
Kujtojmë që në këtë kampionat ishte “Digitalb” që investoi pafundësisht duke sjellë një risi në treg dhe duke rritur ndjeshëm standartin. FFK filloi të merrte më shumë të ardhura nga e drejta e transmetimit.
“Digitalb” investoi shumë në krijimin e studiove dhe regjjeve cilësore të transmetimit, duke i dhënë një hapësirë tepër të gjërë futbollit kosovar, por me sa duket një veprim konfirmon edhe njëherë momentin e vështirë, që kjo platformë po kalon.
Siç bëhet e ditur në mediat kosovare, Federata e Futbollit te Kosovës ka mbyllur procesin e tenderit të të drejtave televizive për transmetimin e ndeshjeve të kampionatit te futbollit. Në këtë tender mësohet se gara ka qenë mes platformave “Artmotion” dhe “Kujtesa”.
Mësohet se fituesi i këtij kampionati është kompania “Artmotion” që ka ofruar të paktën 100 mijë euro në vit, më shume se vlera e kontratës që kishte deri tani “Digitalb”.
“Artmotion” është kompania më e re pay TV në Kosovë e lidhur në pronësi me TV Klan Kosova.
Platforma “Digitalb”, mbajtëse deri tani e këtyre të drejtave ekskluzive, e ka humbur këtë garë për herë të parë. Shkak për këtë humbje janë bërë edhe borxhet që “Digitalb” i ka ende Federatës së futbollit të Kosovës.
Këto borxhe kanë sjellë dhe s’kualifikimin e “Digitalb” njëkohësisht penalizimin edhe të kompanisë IPKO, si partner i “Digitalb” në Kosovë.
Humbja e këtyre ndeshjeve është një goditje e fortë për shikuesit e “Digitalb” në Kosovë dhe në satelit për të gjithë Europën.
IPKO në harkun e një viti ka pësuar dy humbje të mëdha nga marrëveshja me “Digitalb”.
Ka humbur kanalet e TV më të madh shqiptar, TV Klan dhe tashmë kampionatin e Kosovës, duke e venë në vështirësi kompaninë IPKO përballë konkurrentëve ne rritje si “Kujtesa” dhe “Artmotion”.(CNA)