Vardar Forina sezonin e ri futbollistik në Ligën e Dytë – Perëndim e ka nisur me dy barazime, edhe pse ambiciet e “kuqezinjëve” nga Forina ishin të paktën 4 pikë.
Ata barazuan 1:1 në ndeshjen e parë në Bogovinë kundër Dritës, ndërsa një barazim 3:3 shënuan përballë Skopjes në Gostivar, shkruan “infOSport.mk”.
Në këtë ndeshje te Vardar Forina vërehej mungesa e Ylber Alilit, i cili kishte pësuar një frakturë në këmbë nga ndeshja e parë e sezonit kundër Dritës nga Bogovina. Edhe pse fillimisht nuk u mendua për një lëndim të këtij lloji, pas analizave më të detajuara, u konstatua se mesfushori kumanovar kishte pësuar frakturë dhe se i njëjti pritet të pauzojë për gati një muaj.
Është ky pa dyshim një lajm jo i mirë për ekipin e Vardar Forinës, që me Alilin në mesfushë frymon më ndryshe.
Alili pritet që të mungojë në ndeshjet kundër Vëllazërimit, Korabit dhe Kadinos, ndërsa rikthimi i tij pritet të ndodh në ndeshjen e javës së 6-të kundër Ohrid Lihnidos në udhëtim.