Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë grumbullimin për ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve, aty ku do të përballet me Bjellorusinë dhe Lituaninë.
FSHF-ja ka njoftuar edhe ndryshimet e fundit në listën e trajnerit Edi Reja dhe situatën në të cilën gjendet kampi “kuqezi”. Nga atje është konfirmuar ardhja e Endri Çekiçit, një zgjedhje e bërë nga tekniku italian duke parë situatën e pazakontë që vjen si pasojë e pandemisë.
Zvicra ende nuk ka dhënë dritën jeshile për dy lojtarët e kampionatit helvet, Ermir Lenjani dhe Florian Kamberi, megjithëse Federata shqiptare bën me dije se janë duke punuar për të sjellë pranë grupit që të dy futbollistët.
Nga ana tjetër Armando Broja nuk do të mund të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë kundër Bjellorusisë, kjo për shkak se i duhet të shlyejë dënimin e marrë në ndeshjen e fundit me Kombëtaren U-19, ku largua nga loja me karton të kuq.
Kështu duhet të presim ndeshjen me Lituaninë për të parë për herë të parë talentin shqiptarë (ditë më parë nga Çelzi u huazua te Vitesse) të zbresë në fushë me fanellën e Kombëtares “A” të Shqipërisë.