Trajneri i Kombëtares U-21 të Shqipërisë, Alban Bushi ka bërë disa ndryshime në listën e futbollistëve të përzgjedhur për dy ndeshjet eliminatore të EURO 2021 ndaj Austrisë dhe Andorrës, që në program janë në javën e parë të shtatorit.
Si fillim tekniku kishte përzgjedhur 22 futbollistë për këto dy sfida, por është detyruar të ndryshojë planet për shkak të problemeve që ka shkaktuar pandemia COVID-19 në grumbullimin e futbollistëve, e ku kësaj rradhe bie në sy mungesa e futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Ndërkohë për shkak pandemisë Lokomotiva e Zagrebit nga Kroacia, nuk ka lëshuar dy futbollistët shqiptarë, Jon Mersinaj dhe Enis Çokaj, i cili gjithashtu do të mungojë se bashku edhe me Albion Ademin, i cili nuk lejohet të lëvizë jashtë Finlandës.
Sa i përket mungesave është shtuar edhe emri i mesfushorit të KF Laçit, Julian Shehu, i cili është dëmtuar.
Për të zëvendësuar këto mungesa tekniku Bushi ka ftuar Kristjan Asllanin e Empolit, Albion Markun e KF Laçit, si dhe Serxhio Ujka dhe Andi Handroj nga KF Bylis.
Ndeshjen e parë eliminatore Shpresat e Shqipërisë do ta zhvillojnë me 4 shtator kundër Austrisë në transfertë, ndërsa 4 ditë më vonë në “Elbasan Arena” do të mirëpresin Andorrën.