FC Shkupi ka mbyllur aventurën evropiane që në ndeshjen e parë kualifikuese të Liga Europa, pasi u mund në udhëtim nga skuadra e Neftçi Baku. Kësisoj skuadra nga Çairi tashmë gjithë vëmendjen do ta kthejë në kampionatin vendor, ndërsa sot në kuadër të javës së katërt do të mirëpret ekipin e Pelisterit.
Është kjo një ndeshje mes skuadrave të pamposhtura deri më tani në elitën e futbollit vendor, ndërsa është ky një parlajmërim për të ndjekur një përballje mjaft interesante.
“Të dielën e kemi ndeshjen kundër Pelisterit, kishim dy ditë kohë për tu përgatitur, ndërsa ne e dimë se me çfarë ekipi do të përballemi. Besoj se nëse tregojmë lojën sikurse ndaj Neftçit, besoj se do ti arkëtojmë tre pikët këtu në Çair. Kemi analizuar mjaft mirë kundërshtarin dhe e dimë se me çfar kundërshtari do të përballemi dhe besoj se do të korrim fitore”, – është shprehur Ilirid Ademi për faqen zyrtare të klubit nga Çairi.
Ndeshja FC Shkupi – Pelisteri luhet sot në stadiumin e Çairit me fillim në orë 16:30.