Vllaznia e Shkodrës nuk ka të ndalur në merkato. Pasi zyrtarizuan sulmuesin Mandiangu, mësohet se drejtuesit e skuadrës shkodrane janë në bisedime edhe me sulmuesin maqedonas Marko Simonovski.
Sipas burimeve, drejtuesit e Vllaznisë janë në bisedime të avancuara me këtë lojtar dhe pritet nënshkrimi i kontratës me të.
Simonovski së fundmi ka qenë pjesë e ekipit të FC Voluntari në kampionatin rumun, ku në 19 ndeshje ka shënuar 4 gola. Ai në Rumani gjithashtu kishte luajtur edhe me ekipin e Sepsi, ndërsa vlen të theksohet se pas vetes ka një bagazh të madh ndërkombëtarë.
Ai karrierën ndërkombëtare e kishte nisur verën e vitit 2014-të, kur nga Metalugu ishte tansferuar në Rusi te skuadra e Amkar Perm, për të vijuar më pas në Kroaci me RNK Split, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në Kazakistan me Zhetysu dhe Shakhter K. dhe në Finlandë me ekipin e FC Lahti, transmeton “infOSport.mk”.
Ndryshe Simonovski karrierën e tij e kishte nisur te Vardari, ndërsa në vendin tonë përveç me Metalurgun kishte luajtur edhe me Napredokun e Kërçovës.
Kujtojmë Vllaznia javë më parë angazhoi edhe mbrojtësin e krahut të majtë, Aleksandar Isaevski, ndërsa pjesë e shkodranëve janë edhe dy futbollistët shqiptarë nga Maqedonia, Mevlan Adili (vazhdoi kontratën edhe për dy vite të tjera) dhe Demir Imeri, i cili nënshkroi ditë më parë.