Mbeten pezull shitjet e bujshme që korçarët thuajse i kishin mbyllur në këtë sesion merkatoje. Bëhet fjalë për Agon Elezin dhe Jorgo Pëllumbin, të cilët ishin një hap larg transferimit te Boavista dhe Shturm Grac, por çështja e ndërlikuar që korçarët janë duke kaluar në këto ditë pas dënimit të lënë në fuqi nga Gjykata Federale ka frenuar edhe tratativat.
Si Elezi dhe Pëllumbi janë “ngrirë”, ndonëse ishin duke negociuar vetëm detajet e fundit për kalimin te klubet e reja.
“Panorama Sport” mëson se mbrojtësi korçar është bashkuar prej dy ditësh me ekipin në Durrës, për të vijuar stërvitjet për sezonin e ri.
Nga ana tjetër shkupjani erdhi në Shqipëri vetëm për të takuar Ardjan Takajn pak ditë më parë dhe palët janë riakorduar që ai të vijojë përgatitjet në Maqedoninë e Veriut derisa të finalizohet transferimi.