
Shkëndija dhe Renova nuk kanë gabuar, duke shënuar fitore minimale në ndeshjet e sotme të javës së tretë, por me mjaft vlerë, pasi të njëjtat me siguri do të kontribuojnë për një atmosferë pozitive para ndeshjeve europiane, që këto dy skuadra do ti zhvillojnë me 27 gusht, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija falë golit të shënuar nga Besart Ibraimi në minutën e 86-të nga pika e bardhë, mundi minimalisht 1:0 Makedonija GJ.P në Shkup, ndërkohë Renova në Tetovë me rezultatin 2:0 mundi Akademia Pandevin.
Remzifaik Selmani hapi ndeshjen me golin e shënuar në minutën e katërt, ndërkohë fitoren e “gjispunuesve” e vulosi Alen Jasharovski me golin e shënuar në minutën e 93-të.
Me po të njëjtin rezultat (2:0), kujtojmë, dje FC Shkupi mundi Bellasicën në Strumicë, me ç’rast si asnjëherë më parë, 3 skuadrat shqiptare, FC Shkupi, Shkëndija dhe Renova kryesojnë në renditjen tabelare.
FC Shkupi dhe Shkëndija në 3 xhirot e para kanë tubuar nga 7 pikë dhe mbajnë pozitat 1 dhe 2, ndërkohë Renova me 5 pikë renditet si e 3-ta.