Fatjon Jusufi në sezonin e ri po luan titullarë te FC Shkupi, ndërsa kjo ka dhënë edhe efektin e duhur që në start, shkruan “infOSport.mk”.
Mesfushori tetovar që në xhiron e dytë gjeti rrugën e golit në ndeshjen e javës së kaluar kundër Makedonija Gj.P, duke ndihmuar skuadrën e tij për të marrë fitore 3:1, ndërsa e gjitha kjo ka bërë që të ngrit vetëbesimin në nivelin më të lartë te ky futbollistë.
Ai për faqen zyrtare të klubit nga Çairi ka folur në prag të takimit të sotëm kundër Bellasicës, ku shpreson që nga Strumica të rikthehen me 3 pikë të plota.
“Kemi atmosferë mjaft pozitive pas rezultateve që kemi arritur në dy ndeshjet e fundit. Edhe pse ishin ndeshje mjaft të vështira, ne arritëm që të marrim tri pikë në ndeshjen e fundit, kishim presionin e pikëve, mirëpo që të fitojmë bindshëm. Shpresoj që edhe kësaj rradhe të shkojmë me atmosferën pozitive që kemi, shpresoj që sërish të fitojmë tre pikët e rradhës dhe që ndeshjen e parë në Europë, të ikim në Baku që të luajmë ndeshje cilësore me koka të qeta dhe fillimisht të arkëtojmë tre pikët e radhës kundër Bellasicës”, ka thënë Jusufi.
Ndeshja midis Bellasicës dhe FC Shkupit starton në ora 17:00, ndërsa e njëjta po zhvillohet në termin jo të zakonshëm, për shkak paraqitjes së skuadrës shkupjane në eliminatoret e Liga Europa.
Skuadra e Bellasicës në këtë rast u tregua shumë korrekte, duke pranuar kërkesën e FC Shkupit që kjo ndeshje të zhvillohet më herët nga të gjitha ndeshjet tjera. Kujtojmë FC Shkupi në raundin e parë kualifikues të Liga Europa, do të përballet me Neftçin nga Azerbejxhani, ndeshje kjo që në program është me datë 27 gusht.