Sevilja ka fituar trofeun e Liga Europa edhe për herë të 6-të në histori. Andaluzianët në finalen e madhe të edicionit 2019/2020 të zhvilluar në Këlln të Gjermanisë, mundën Interin me rezultatin 3:2, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja filloi me dy gola të hershëm. Romelu Lukaku hapi rezultatin me një gol të shënuar nga pika e bardhë që në minutën e 5-të, mirëpo përgjigja erdhi shumë shpejtë me anë të Luk De Jong.
Sulmuesi holandez në minutën e 12-të barazoi shifrat në 1:1, ndërsa në minutën e 33-të i njëjti realizoi edhe golin e dytë, duke kaluar për herë të parë në epërsi skuadrën nga “Ramon Sançez Pizhuan”.
Megjithatë gëzimi i futbollistëve spanjoll zgjati shumë pak, pasi në minutën e 36-të Diego Karlos barazoi rezultatin në 2:2.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa në të dytën u shënua vetëm një gol, edhe atë nga ana e Diego Karlos të Seviljës, i cili shënoi golin më të bukur të mbrëmjes, kur me gërshërë në minutën e 74-të falë edhe ndihmës së Lukaku shënoi golin e fitores për skuadrën andaluziane, transmeton “infOSport.mk”.
Sevilja kështu bëhet skuadra më e suksesshme në Liga Europa, me 6 trofe të fituar, që të gjithë këto të fituar në 15 vitet e fundit.
Për më tepër, Sevilja nuk dinë humbje në ndeshjet finale, pasi që në të gjitha ka dalë fitues.
Në anën tjetër Interi, edhe pse konsiderohej si favoritë, e mbylli edhe një sezon tjetër pa trofe. “Zikaltërit” luajtën për herë të parë në një finale, pas asaj të vitit 2010-të, kur kishin fituar “tripletë” me Murinjon në krye.