Liga e Kampionëve po afron me shpejtësi aktin e saj të fundit. Pas gjysmëfinales së parë të zhvilluar mbrëmë, në të cilën Paris Sen Zhermeni doli fitues me shifrat 3:0 përballë Lajpcigut, sonte na pret edhe përballja e dytë gjysmëfinale, sërish me aktorë gjermano-francez.
Në stadiumin “Da Luz” të Lisbonës mejdanin do të ndajnë Bajerni i Munihut dhe Lioni, skuadër kjo që në dy ndeshjet paraprake kishte surprizuar duke eliminuar Juventusin në 1/8 e finales dhe Mançester Sitin në çerekfinale.
Bajerni i Munihut nga ana tjetër, gjatë këtij edicioni të Ligës së Kampionëve, fillimisht dominoi në Grupin B (6fitore në 6 ndeshje), për të eliminuar më pas Çelzin, (3:0 në Londër dhe 4:1 në shtëpi) në 1/8 e finales, që më vonë në çerekfinale të demolojë Barcelonën e famshme, duke e mundur me rezultatin 8:2.
Lioni dhe Bajerni deri më tash në Europë janë takuar plotë 8 herë, edhe atë gjithnjë në Ligën e Kampionëve. Historia flet në anën e “bavarezëve”, që kanë arritur katër fitore, dy barazime dhe dy humbje. Të dyja skuadrat janë takuar tashmë në gjysmëfinale të kësaj gare. Ishte edicioni 2009-2010, kur gjermanët fituan në mënyrë të dyfishtë (1:0 në shtëpi dhe 3:0 në Francë).
Sa u takon formacioneve, Rudi Garcia do të mbështetet përsëri te skema 3-5-2, në të cilin Denayer, Marcelo dhe Marçal do të përbëjnë vijën mbrojtëse, para portierit Lopes. Në mesfushë, Dubois dhe Cornet do të kryesojnë krahët, ndërsa në sulm mund të startojë dueti Depay-Dembélé.
Formacioni i zakonshëm 4-2-3-1 për Flick, i cili para portierit Nojer pritet të rreshtojë një mbrojtje, Boateng dhe Alaba në qendër, Kimih dhe Dejvis në krahë.
Në pjesën e përparme, duke mbështetur sulmuesin e vetëm, Levandovski, do të jetë një treshe e fuqishme; Gnabry, Myller dhe Perishiç.
FORMACIONET E MUNDSHME: |
LION (3-5-2): Lopes; Denayer, Marcelo, Marçal; Dubois, Caqueret, Guimarães, Aouar, Cornet; Depay, Dembélé. |
BAJERN MUNIH (4-2-3-1): Neuer; Kimmich, Boateng, Alaba, Davies; Goretzka, Thiago; Gnabry, Müller, Perisic; Lewandowski. |