Skuadra kampione e Kosovës, Drita edhe zyrtarisht ka ndarë rrugët me 3 futbollistë nga Maqedonia, që ishin pjesë e gjeneratës që edicionin e kaluar u shpallën kampion, njofton “infOSport.mk”.
Pjesë e “bardhekaltërve” nga Gjilani në sezonin e ri nuk do të jenë portieri Darko Tofiloski, mesfushori Bunjamin Shabani dhe futbollisti i talentuar, Lirim Mema. Një gjë të tillë ka konfirmuar vetë klubi i Dritës, përmes një postimi në facebook, ku gjithashtu njoftoi edhe ndarjen me një ndër futbollistët më të mirë kosovar, Liridon Leci, i cili gjatë ditës së djeshme u prezantua te Llapi.
Më poshtë ju sjellim edhe njoftimin e skuadrës gjilanase, lidhur me 4 largimet e fundit nga rradhët e tyre.
“FALEMINDERIT KAMPIONA. Klubi jonë FC DRITA ka përfunduar bashkëpunimin me lojtarët si Bunjamin Shabani, Darko Tofiloski, Liridon Leci dhe Lirim Mema.
Lojtarëve si Darko Tofiloski dhe Liridon Leci ju ka skaduar kontrata me klubin, ndërsa Bunjamin Shabani dhe Lirim Mema, edhe pse kishin kontratë edhe për një vit tjetër, me marrëveshje të dyanshme jemi dakorduar që t’i ndajmë rrugët ndoshta edhe për shkak të hapësirës së vogël që kishin në ndeshje.
Ne si klub, i falënderojmë shumë për kontributin e dhënë dhe ju dëshirojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës së tyre”.