Lacio me drejtorin sportiv Igli Tare po mendojnë për prurjet e reja, e ku për momentin prioritet kanë spanjollin e Mançester Sitit, David Silva. Mirëpo, paralelisht shqiptari po punon edhe për rinovimin e kontratave me disa prej futbollistëve kryesor në skuadër, e ku njëri prej tyre është edhe portieri Thomas Strakosha.
Kontrata aktuale portierit të kombëtares shqiptare i skadon në qershor të vitit 2022, por para pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve, do të ketë një rinovim deri në vitin 2024 ose 2025.
Strakosha ka qenë një nga pikat më të forta të Lacios në dy sezonet e fundit ku vjet u eliminua nga zona e Ligës së Kampionëve në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Interit, ndërsa këtë sezon siguroi një vend në kompeticionin më të rëndësishëm europian.
Ndërkohë mediat italiane zbulojnë edhe emrat e futbollistëve tjerë, me të cilët Lacio dhe Igli Tare dëshirojnë të vazhdojnë bashkëpunimin. Fjala është për Luiz Felipe, Patriç dhe Marushiç.