Rivaliteti mes Etrit Berishës dhe Samir Ujkanit mund të njohë shumë shpejt një kapitull të ri shumë interesant. Kujtojmë Etrit Berisha ishte ai që i rrëmbeu vendin te Kombëtarja shqiptare Samir Ujkanit, i cili më pas vendosi të braktis “kuqezinjtë”, duke iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës.
Ndërkohë tashmë ky rivalitet, mund të zhvendoset në nivel klubesh, te Torino, skuadër kjo që është e interesuar për shërbimet e Etrit Berishës.
Ky i fundit edicionin e kaluar mbronte portën e SPAL, mirëpo pas rënies në “Serie B” të kësaj skuadre, Berisha pritet të largohet dhe sërish të jetë pjesë e “Serie A”.
Mediat italiane hipotetizojnë se Berisha mund të jetë edhe portier i parë i klubit të njohur italian, nëse largohet portieri titullar Salvatore Sirigu. Vlerësimi 4 milionë euro i kartonit të Berishës nuk duket shumë i lartë dhe nëse largohet Sirigu, mediat pranë klubit mendojnë se ai do personi që klubi cilëson si zvendësuesin ideal të gardianit italian, ndërsa nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë Berisha mund të rivalizojë me Ujkanin për portierin e dytë te Torino.