Gostivari godet fuqishëm në merkato, transferon ish portierin e Shkëndijës, Jovanovski

Gostivari ka bërë një super goditje në merkato, teksa sot ka prezantuar ish portierin e Shkëndijës, Marko Jovanovski, njofton “infOSport.mk”.

Bëhet fjalë për një portier mjaft cilësor, që pas vetes ka një bagazh shumë të pasur, duke qenë pjesë e skuadrave nga elita e futbollit vendor.

Ai së fundmi ishte pjesë e Makedonija GJ.P, ndërsa ajo që bëri të pranojë ofertën e skuadrës së Gostivarit, që garon në ligën e dytë – Perëndim, janë ambiciet e klubit dhe korrektësia e drejtuesve të tyre.

“Pranova ofertën e Gostivarit në mesin e shumë ofertave tjera pasi që drejtuesit e klubit ishin shumë konkretë dhe këmbëngulës që të bëhem pjesë e tyre. Më pëlqeu edhe plani afatgjatë që dëgjova nga drejtuesit. Përshtypjet e para janë shumë pozitive si nga kushtet që ofron klubi ashtu edhe me futbollistët që janë pjesë e Gostivarit. Sa kam informacion për ekipin është një kombinim i lojtarëve me përvojë dhe lojtarëve të ri por shumë të talentuar. Shpresoj që me përvojën time t’i ndihmoj klubit dhe të arrijmë objektivin e drejtuesve që është inkuadrimi në Ligën e parë të RMV” – është shprehur Marko Jovanovski në prononcimin e tij të parë për faqen zyrtare të Gostivarit.

Jovanovski para se ti bashkohej Makedonija GJ.P, me shumë sukses mbronte portën e Shkëndijës, ndërsa në futbollin vendor, ai gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e skuadrave, si: Rabotniçki, Vardari, Teteksi dhe Pelisteri.

Përveç kësaj, Jovanovski në dy raste tjera kishte luajtur jashtë vendit, edhe atë me Etnikos Ahna në Qipro dhe me ekipin e Sepsi në Rumani.

 

Leave a Reply