Filip Gligorov përforcon krahun e djathtë të mbrojtjes te FC Shkupi

FC Shkupi nuk ka të ndalur, kur janë në pyetje përforcimet  për sezonin e ri garues 2020/2021, i cili startoi javën që lamë pas, njofton “infOSport.mk”.

Emër i ri në taborin e skuadrës “bardhekaltër” nga Çairi do të jetë mbrojtësi i krahut të djathtë, Filip Gligorov, i cili në këtë mënyrë rikthehet te FC Shkupi, pas aventurës së shkurtër që pati në sezonin 2016/2017.

Burime të sigurta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se Gligorov me FC Shkupin do të nënshkruaj kontratë një vjeçare, ndërsa në futbollin vendor rikthehet nga Vllaznia e Shkodrës.

Pjesë e skuadrës shqiptare ishte nga vera e vitit 2019-të, duke zhvilluar plotë 24 ndeshje, ndërsa kujtojmë se gjatë karrierës së tij ai kishte luajtur edhe në Sllovaki me skuadrat e Banik Ruzina dhe STK Samorin, në Bosnje e Hercegovinë me skuadrën e Olimpic Sarajevo dhe në Rumani me ekipin e Dunarea Calarasi.

Në futbollin vendor përveç me FC Shkupin, Filip Gligorov ka luajtur edhe me Rabotniçkin, EuroMilkun dhe Sileksin, transmeton “infOSport.mk”.

27-vjeçari Gligorov te FC Shkupi vjen për të përforcuar krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku skuadra kishte nevojë për një emër të ri, ndërsa eksperienca e tij në futbollin vendor do të jetë e mirëseardhur për ekipin “bardheblu” nga Çairi dhe trajnerin Muharem Bajrami.

Leave a Reply