Skuadra kampione e Kosovës, Drita do ta luajë ndeshjen e fundit të fazës para-kualifikuese të Ligës së Kampionëve.
Pas fitores ndaj Inter Escaldes, skuadra kosovare e cila udhëhiqet nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, sot pritet të ketë një test paksa më të vështirë kundër kampionit të Irlandës Veriore, Linfield.
Një ndeshje aspak e lehtë kjo për të përzgjedhurit e Ardian Nuhiut, i cili do të duhet të ndërtojë një skemë pa lojtarin kryesor Hamdi Namani, i cili rezultoi pozitiv me COVID-19 gjatë testeve të djeshme.
Përveç kësaj mungese, Drita nuk do të mund të llogarisë edhe në shërbimet e Bujar Shabanit dhe Fidan Gërbeshit, dy lojtarë këta që vijojnë të mbeten në vetizolim pavarësisht se kanë rezultuar negativ në testin e dytë.
Kujtojmë skuadra fituese nga kjo përballje, Drita – Linfield (starton në ora 18:00), në turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, do të përballet me skuadrën e njohur polake të Legia Varshavës.