Arda Turan rikthehet në shtëpi. 33-vjeçari ka vendosur të rikthehet te Galatasaraji, aty ku u rrit si profesionist, plot 9 vite pas largimit te Atletiko e Madridit, teksa firmosi kontratë një vjeçare me të drejtë rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Klubi i uroi mirëseardhjen sulmuesit me një video prekëse, ndërsa presidenti Mustafa Xhengiz tha se Turan është më shumë se një blerje për klubin, është një lojtar emblemë, që meritonte ta vishte sërish fanellën e Galatasarajit.
Arda Turan ishte bashkuar me Galatasarajin në verën e vitit 2000, kur ishte vetëm 13 vjeç dhe pas 5 vitesh në skuadrat e moshave, debutoi në skuadrën e parë në vitin 2005, ku qëndroi për plot 6 sezone deri në vitin 2011-ën.
Me fanellën e Galatasarajit, Turan ka luajtur 130 ndeshje dhe ka shënuar 29 gola, ndërsa pikërisht aty fitoi edhe një vend në kombëtaren turke, me të cilën numëron 100 ndeshje dhe 17 gola të shënuar.