Kukësi pengon transferimin e Et’hemit, rrezikon të humbas 60 000 euro

Se klubet shqiptare kanë mungesë të konsulantëve profesional ligjorë nuk paraqet një lajm të ri, por se do shfaqen raste kur klubi nuk heziton të shkojë me “kokën në murr” është fenomen i llojit të tij. Ky është shembulli që “prodhon” Kukësi me tashmë ish-futbollistin e tyre Valon Et’hemi.

Ndarja

Pas tre sezoneve bashkëpunim kontrata e anësorit tetovar me Kukësin skadoi me mbylljen e kampionatit 2019/2020. Lojtari me email njoftoi për largimin fillimisht Kukësin, pastaj grupin e tashmë ish-bashkëlojtarëve dhe më vonë edhe me një njoftim përshëndetës në rrjetet personale sociale, ku spikat mirënjohja dhe falënderimi ndaj klubit e gjithë pjesëtarëve. Arsyeja e largimit nga ana e lojtarit potencohet dëshira për tu provuar në një kampionat më konkures.

Qëndrimet e dyshimta të Kukësit

Veprimi i Et’hemit ka alarmuar drejtuesit e Kukësit që gjatë kësaj periudhe disa herë kanë ndryshuar qëndrim. Fillimisht pretendonin se kanë një kontratë të re të zgjatur për tre vitet e ardhshme për të cilën lojtari nuk ishte në dijeni. E njejta është depozituar në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe më vonë përfaqësues të klubit (i biri i presidentit Gjici dhe juristi i klubit) kishin tentim të pasuksesshëm për ta fuqizuar atë, sepse ndërkohë në dy raste futbollisti kishte njoftuar federatën dhe klubin me shkresë se nuk pretendon rinovimin. Duke parë se humbin këtë betejë, nga KF Kukësi kanë ndryshuar qëndrim. Tashmë hedhin poshtë vetë pretendimet e tyre për ekzistimin e një kontrate të re, duke ofruar tryezën e bisedimeve. Por edhe aty Kukësi nuk tregon vendosshmëri dhe respektin e merituar për lojtarin, pasi oferta e tyre nuk arrinte as gjysmën e asaj që ofronin pesë klube tjera të superiores, pa llogaritur ofertat që vinin nga jashtë.

Marrëzia e Kukësit

Ndërkohë që Et’hemi po kalonte vizitat mjekësore në Poloni, Kukësi i drejtohet me shkresë Zaglebie Lubin. Qëllimi i vetëm është të pengohet transferimi i Et’hemit, duke futur në hamendje klubin polak. Por, si duket Kukësi gabon llogaritë pasi me Et’hemin e vendosur për t’u larguar dhe me garanca edhe nga UEFA se kanë përfunduar detyrimet e tij ndaj Kukësit, këta të fundit rrezikojnë të humbasin 60 000 euro të cilat Zaglebie Lubin ishte gati ti paguajë në emër të kompensimit stërvitor (training compensation). Kukësi duke u mbështetur në kontratën e firmosur tre vite më parë pretendon se Et’hemi detyrohet të luajë edhe në Kupat e Europës, por lojtari i konsultuar me një zyrë juridike me shumë ndikim ka garanca se kjo pikë e vendosur në kontratë bie poshtë para rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s, pasi nuk ka asnjë logjikë lojtari të vazhdojë të luajë vetëm në Europë, ndërkohë që klubi mund të avansojë në fazën e grupeve që zgjat deri në fund të vitit.

Nëse jo Zaglebie, Et’hemi vazhdon në Turqi ose Izrael

Është fakt që shkresa e Kukësit ka hamendur pak drejtuesit e Zaglebies që vazhdojnë të analizojnë detajisht situatën, por tashmë vetë Valon Et’hemi duket i vendosur për veprime konkrete. Ai nuk do të presë Zaglebien të bëjë llogaritë, pasi në dorë ka dy oferta konkrete nga Turqia dhe Izraeli. Madje i prekur nga jokrektësia që i bëhet nga Kukësi, duket se do të zyrtarizojë transferimin pas datës 3 shtator kur do të ketë mbushur 23 vjeç dhe ky epilog len Kukësin me “gishta në gojë”. Avullohen 60 000 euro që Zaglebie ishte gati t’i paguajë dhe ndërkohë do të përballen edhe me procedurat ligjore që priten të ndërmeren nga avokatët e lojtarit për shpifje, mashtrime dhe paraqitje të fakteve të rrejshme mes të cilave edhe një dokument fallco për gjoja një paradhënie në vlerë prej 20 000 eurove për paraqitje të Et’hemit në Kupat e Europës për sezonin garues 2020/2021. Që të jetë ironia më e madhe Et’hemi dhe lojtarët tjerë të Kukësit kanë pa pranuar disa paga mujore, por lojtarët pamundësohen të shfrytëzojnë të drejtën e ndërprerjes së njëanshme të bashkëpunimit për faktin se kanë nga dy kontrata, prej të cilave njëra me pagë minimale, e që Kukësi se ka problem ta shlyejë për të mbrojtur veten nga penalizimet.

Leave a Reply