Skuadra e Vllaznisë së Shkodrës, pjesë e së cilës është edhe shkupjani, Mevlan Adili, mes shumë vuajtjesh këtë edicion ia doli të mbijetonte në Superligën shqiptare, edhe atë vetëm pas ndeshjes “play-out” kundër Besëlidhjes, që e fitoi me shifrat 3:1, shkruan “infOSport.mk”.
Sezonin e sapo mbyllur Vllaznia e nisi me trajnerin maqedonas, Mirsad Jonuz, për ta mbyllur me shkodranin Hysen Dedja, ndërsa zërat e fundit nga Shkodra thonë se sot pritet të zyrtarizohet firma e trajnerit të ri.
Bëhet fjalë për trajnerin gjerman me origjinë kroate, Tomas Brdariç, i cili në të kaluarën kishte drejtuar edhe Shkëndijën.
Brdariç njihet si një futbollist mjaft i mirë që për shumë vite kishte luajtur në Bundesligë dhe ka eksperiencë shumë të madhe si futbollist, por jo edhe si trajner.
Ai ka drejtuar skuadra në kategoritë e ulëta gjermane, ndërsa pikën më të lartë të karrierës e kishte arritur me Shkëndijën e Tetovës të cilën e drejtoi për disa muaj në vitin 2017, duke u larguar pa lënë shenjë dhe duke dështuar në atë që ishte objektivi i klubit “kuqezi”, fitimi i titullit kampion që u sigurua në sezonet pasardhëse nën urdhërat e Qatip Osmanit.