Sulmuesi rus Dzhamal Dibirgadzhiev gjatë ditës së sotme është prezantuar nga ana e FC Shkupit, me të cilën skuadër firmosi kontratë 3-vjeçare. Ai që pas kontakteve të para që kishte nisur me drejtuesit e skuadrës nga Çairi, kishte filluar të interesohej për këtë skuadër, e për më tepër përshtypje i kishte lënë tifo grupi “Shvercerat”.
“Në momentin që kam vendosur të vij te Shkupi kam shikuar edhe video të klubit dhe tifozëve, i kam përcjellë edhe videot në instagram dhe kam parë që ka një armatë të madhe të tyre që janë më shumë se 10 mijë. Fundja të gjithë e dimë se futbolli luhet për tifozët dhe shpresoj që brenda muajit të kthehen ata në tribuna dhe së bashku të gëzohemi në gola dhe fitore” – është shprehur Dzhamal Dibirgadzhiev.
Sulmuesi 24 vjeçar sot pasdite do të vihet nën urdhrat e trajnerit Bajrami për t’u stërvitur bashkë me skuadrën.
Dzhamal Dibirgadzhiev te FC Shkupi vjen nga kampionati rus, aty ku ka kaluar edhe pjesën më të madhe të karrierës, duke luajtur edhe me skuadrat si Chernomorets, Anzhi Makhachkala, Veles Moskë, ndërsa gjithashtu ka luajtur edhe në kampionatin e Portugalisë, me ekipin e CD Fátima.