Pandemia “Covid 19” nuk ka ndryshuar vetëm botën, por edhe sportin në përgjithësi. Kështu futbolli ka disa muaj që ka rifilluar, por nën masa strikte higjenike. Gjithashtu dhe shkallët e stadiumeve janë ende të boshatisura, ku shpresa më e madhe është që ato të rihapen sërish në fillim të tetorit.
Ndërkohë një tjetër rregull i ri vjen nga Anglia, aty ku Federata e futbollit ka sjellë një vendim të çuditshëm.
Në rast se një futbollistë kollitet qëllimisht në afërsi të kundërshtarit ose gjyqtarit të takimit, atëherë ai do të ndëshkohet me karton të verdhë. E gjithë kjo bëhet për të respektuar masat anti-Covid dhe shikohet nga specialistët si një masë shumë e mirë për tu vendosur.
Gjithashtu në sezonin tjetër do të lejohen pesë zëvendësime brenda 90 minutave dhe jo 3, siç ishte rasti deri më tani. Një gjë e tillë vlen të përmendet se në futbollin anglez filloi të aplikohet që nga muaji maj, kur sërish rifilloi futbolli pasi u ndërpre për shkak Koronavirusit.