Renova mund Korabin në gjeneralen para startit të kampionatit

Renova ka shënuar fitore 3:1 në miqësoren e zhvilluar në Reçicë ndaj skuadrës së Korabit, për të cilën skuadër ishte kjo vetëm ndeshja e parë në kuadër të fazës së përgatitjeve për sezonin e ri, njofton “infOSport.mk”.

Pjesa e parë ishte e barabartë me raste të krijuara nga ana e të dyja palëve, me Korabin, që shumë lehtë mund të ndodhte që në pushim të shkonte me epërsi, në rast se Drilon Koleci penaltinë e akorduar do ta shndërronte në gol.

Ndryshe serinë e golave në pjesën e dytë e hapi Emran Ramadani, Shefit Shefiti shënoi për 2:0, derisa Argjent Gafuri nga penaltia shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e skuadrës dibrane.

Deri në fund të takimit, Korabi me anë të mbrojtësit të djathtë Fatjon Lleshi, i cili doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, shënoi golin e nderit.

Për Renovën ishte kjo ndeshja e fundit dhe njëherit ndeshja gjenerale para startit të sezonit të ri futbollistik. Kujtojmë Renova miqësoret i kishte nisur me barazim 1:1 me Struga Trim Lum, për të shënuar fitore minimale 1:0 ndaj FC Shkupit, ndërsa gjithashtu kishte barazuar 0:0 me Pelisterin.

Ishte kjo ndeshja e katërt dhe e fundit për ekipin nga Xhepçishti, që sezonin e ri futbollistik do ta nis me ndeshjen si vendas kundër Struga Trim Lum me datë 9 gusht.

Leave a Reply