Talenti shkupjan, Agon Elezi, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës së njohur shqiptare të Skënderbeut, me shumë gjasa karrierën e tij do ta vazhdojë në Portugali, te skuadra e Boavistas.
Edhe pse ende asgjë nuk është bërë zyrtare, informacionet e “infOSport.mk” flasin se palët janë duke diskutuar detajet e fundit dhe se shumë shpejt ky “operacion” do të marrë formën e duhur.
Interesimi i Boavistës ka qenë i vazhdueshëm në muajt e fundit, ndërsa cilësitë e 19- vjeçarit, duket se u kanë pëlqyer mjaft luzitanëve që nuk ka vonuar të mbyllin parimisht marrëveshjen me Skënderbeun, skuadër kjo që thuhet se nga shitja e futbollistit shkupjan do të përfitojë rreth 500 mijë euro.
Elezi, i cili është edhe pjesë e përfaqësueses U21 të Maqedonisë, me Boavistan pritet të nënshkruajë kontratë 3-vjeçare, ndërsa shumë shpejt pritet që të bëhet edhe prezantimi zyrtar i tij te ekipi i njohur portugez.
Kujtojmë kjo do të jetë hera e dytë që Agon Elezi do të luaj jashtë vendit, pasi verën e vitit 2017-të ai u transferua te skuadra franceze e Kaen, transmeton “infOSport.mk”.
Elezi edicionin e kaluar me fanellën e Skënderbeut zhvilloi 22 ndeshje në Superligën shqiptare, duke rikthyer formën e tij të vjetër.