Albion Avdijaj është goditja e parë në merkato për kampionët e ri të Shqipërisë, Tiranën. Sulmuesi 26-vjeçar, me “bardheblutë” nga kryeqendra shqiptare firmosi një kontratë 2-vjeçare, teksa do bashkohet menjëherë me pjesën tjetër të ekipit.
Shqiptari, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Kombëtares Shpresa, së fundmi ishte pjesë e danezëve të Viborg, por gjërat nuk shkuan ashtu siç duheshin, duke u aktivizuar vetëm 6 ndeshje me ekipin e parë, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës.
Para se të transferohej te skuadra e Viborg, Avdijaj, aktivizohej në kampionatin hungarez me ekipin e Debrecen, ku luajti si i huazuar nga zviceranët e Grasshopers. Me Debrecenin, sulmuesi 26-vjeçar, realizoi vetëm 1 gol në 21 ndeshje.
Pikërisht ky është edhe goli i vetëm i realizuar nga Avdijaj, në 2 vitet e fundit, për sa i përket ndeshjeve zyrtare. Bëhet fjalë për 10 tetorin e vitit 2018, kur shqiptari realizonte me kokë në sfidën ndaj Akademia Pushkash, në triumfin 2:1 të Debrecenit në kampionat.