Drita e Ardian Nuhiut, është shpallur kampione e Kosovës në futboll, edhe atë një xhiro para fundit të sezonit 2019/2020, njofton “infOSport.mk”.
Kjo u bë fakt sot me zhvillimin e ndeshjeve të javës së 32-të në elitën e futbollit të Kosovës, e ku e gjithë vëmendja e “bardhekaltërve” nga Gjilani ishte e përqëndruar te ndeshja midis Gjilanit dhe Ballkanit.
Pikërisht rezultati përfundimtarë 2:2 i këtij takimi, i mundësoi Dritës që të shpallet kampione, duke pasur parasysh se skuadra e strategut shkupjan, Ardian Nuhiu, gjatë ditës së djeshme kishte kryer me sukses misionin ndaj Drenicës, duke shënuar fitore minimale 1:0.
Kësisoj Drita me 68 pikë, 3 më shumë se rivali lokal, Gjilani shpallet për herë të tretë në historikun e saj kampione e Kosovës, ndërsa është kjo hera e parë dhe kuptohet një sukses i jashtëzakonshëm për strategun shkupjan Ardian Nuhiu, i cili i gëzohet titullit të parë si trajner.
Pjesë e këtij titulli shumë të merituar të Dritës, gjithashtu janë edhe futbollistët nga vendi ynë, si Izair Emini, Bunjamin Shabani, Ardian Cuculi, Darko Tofiloski dhe Lirim Mema.