As fajtor e as borxhli, përfundon bujshëm në media me një arsye për lajm, që realisht duke parë natyrën e profesionit do të duhej te lidhej me fushën e blertë. Është ky Suad Sahiti, futbollisti shqiptarë nga Kosova që luan me Wisła Płock në elitën e futbollit në Poloni. Një intervistë e tij me një gazetarë që mbase edhe nuk do të ketë njohur mirë gjuhën me të cilën ka komunikuar (serbo/kroate e kombinuar), është keqpërdorur skajshmërisht duke nxjerë nga konteksti prononcimin e futbollistit, duke i’a veshur deklaratën e pathënë se “Beogradi është shtëpia ime”. Nëse keqpërdorimi nga mediat serbe edhe mund të pritej duke njohur mënyrën e tyre të funksionimit, fatkeqësisht në ‘grackë’ kanë rënë edhe media të caktuara shqiptare që pa kërkuar prononcimin e lojtarit kanë publikuar lajmin sipas ‘modelit’ të serbëve.
Kjo ka shtyrë lojtarin të reagojë në profilet e tij në rrjetet sociale, duke përgënjeshtruar pretendimet e serbëve.
“Të dashur qytetarë, në një intervistë që kam dhënë për një medium, shkrimi është me tendencë dhe i nxjerrë nga konteksti. Jam i lindur e i rritur në Beograd, por shtëpia ime është Prishtina dhe gjithë Kosova. Sporti dhe politika bashkë nuk shkojnë, mund të thuhet e shkruhet gjithçka, por asgjë nuk mund ta ndryshojë krenarinë time për familjen dhe prejardhjen time. Unë jam kosovardhe me krenari kam veshur fanellën e kombëtares së Kosovës. Ëndrra ime është ta shoh Kosovën në Kampionatin Europian!”, thuhet në postimin e Suad Sahitit në rrjetet sociale, deri sa i pyetur për çka në fakt bëhet fjalë reprezentuesi i Kosovës sqaron situatën.
“Më vjen keq që ky prononcim u keqpërdor dhe mori kaq bujë. Fatkeqësisht edhe media shqiptare e kanë përcjellë këtë lajm të huazuar nga mediat serbe, bile pa më kontaktuar fare nëse ka të vërtetë në atë intervistë. Si duket gazetari që realizoi intervistën ka ngatëruar të dhënat se kam lindur në Beograd dhe kam familjarë atje, por se shtëpia ime është Kosova dhe Prishtina. Unë jam i hapur gjithmonë për mediat, posaçërisht ato shqiptare dhe do isha i lumtur për këtë rast të më kishin kontaktuar për të shmangur publikimin e të pavërtetave që ju pëlqejnë atyre që më sa paku na duan”, tha Sahiti.
Ndryshe Suad Sahiti po zhvillon sezonin e dytë me Wisła Płock në Poloni, në të kaluarën ka luajtur edhe me Septemvri Sofia në Bullgari, AE Larrissa në Greqi, Skënderbeun në Shqipëri dhe Rabotniçkin në Maqedoni të Veriut, ndërsa për përfaqësuesen A të Kosovës regjistron një paraqitje në miqësoren e fituar 4:3 përballë Letonisë në vitin 2017.